Download Document

Të dashur Lexues,

Kanë kaluar njëzet vjet që nga përfundimi i luftërave në Ballkanin Perëndimor.
Si një rajon i larmishëm, kompleks dhe me kulturë e histori të pasur, këtu ka shumë gjëra për t’u çmuar.
Mirëpo kur është fjala për memorializimin e së kaluarës së afërt të militarizuar, hapësira është e kufizuar.
Ky është një rajon i ndarë dhe i bashkuar nga identiteti. Jashtë Ballkanit ekziston ndjesia e të qenurit “ballkanas”, ndërsa brenda, ka ndasi dhe përleshje për “identitet”.
Çfarë roli luajnë shtetet këtu? A i besojmë shtetit që ta krijojë identitetin kombëtar përmes memorialeve? Si ta ndërtojmë identitetin kombëtar në një rajon me kaq larmi etnike, pa shkaktuar ndasi?

***

Shpërbërja e Jugosllavisë solli ndryshimin e “kapitalit simbolik” në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë, ku memorialet nuk i përkujtojnë më viktimat e fashizmit dhe nuk e lartësojnë më Revolucionin. Monumentet e reja u referohen drejtpërsëdrejti një të “kaluare të armatosur”.
Një ligj i ri në Serbi ndalon çdo monument që kërcënon sovranitetin, integritetin territorial, totalitetin dhe pavarësinë e lirinë e Republikës së Serbisë.

Në Bosnje e Hercegovinë, shumë monumente i përmbahen narrativës monoetnike ose fetare dhe kujtesa ndërtohet rreth kësaj narrative. Po ashtu, shtrohet pyetja se a është komuniteti në gjendje të përballet publikisht me “fajin” e vet, kur nisma e kohëve të fundit për të caktuar një ditë zyrtare përkujtore që njeh vuajtjen e grave gjatë luftës së fundit nuk u miratua? Maqedonia e Veriut e përjetoi memorializimin në një tjetër

nivel përmes projektit Shkupi 2014, ku shoqëria u detyrua të “kremtojë” dhe të identifikohet me heronj përgjithësisht të panjohur nga një e kaluar “e antikizuar” (dhe kështu iu dha emërtimi krejtësisht i veti “antikizim”). Tani ka grupe që po përpiqen të rikthejnë atë çka e shohin si identitetin autentik të qytetit.

Çfarë të bëjmë kur memorializimi haptazi manipulohet me fakte të rëndomta? A e pranon dhe inkurajon kjo amnezinë kolektive?
Përfaqësimi publik i grave në Kosovë është i kufizuar, me përjashtim të përkujtimit të shenjtoreve dhe viktimave.
Kjo hapësirë për “heronjtë” dhe luftëtarët, a është rezervuar vetëm për burrat? A mos është pamja e re që mori këto ditë monumenti ikonik i Prishtinës, “Newborn”, përmes një instalacioni interaktiv me 99 fytyrat e grave kosovare, një përpjekje për të rishkruar narrativën rreth grave në Kosovë? Ndërkohë, familjet e të pagjeturve po ndërmarrin privatisht masa për të nxjerrë në hapësirën publike historitë personale të të dashurve të tyre, duke iu dhënë zë, fytyrë dhe duke mos i lejuar të jenë vetëm një shifër apo që kujtimi për ta të shuhet në harresë.

***

Kur kujtimet janë të ndara, edhe shoqëritë janë të ndara. Çfarë mund të bëhet publikisht për ta zgjeruar të kuptuarin që kemi për të kaluarën e afërme dhe për të lëvizur drejt gjithëpërfshirjes dhe pajtimit? Si mund të na ndihmojë memorializimi për ta arritur këtë?
Cila është alternativa – dhe a është ajo një alternativë me të cilën jemi të gatshëm të përballemi?

Autorë nga i gjithë rajoni kanë dhënë mendimet e tyre për memorializimin për numrin e 11 të Balkan.Perspectives.

Përmes paraqitjes së perspektivave të ndryshme rreth temave që kanë të bëjnë me Ballafaqimin me të Kaluarën, ne synojmë të nxisim debat dhe të menduarin kritik. Si gjithnjë, i mirëpresim komentet tuaja.

 

Vanessa Robinson-Conlon

Kryeredaktore