E krijuar nga bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Shefildit [University of Sheffield] dhe OJQ-së forumZFD Kosova, ekspozita Landscapes of Repair e paraqet punën e gjashtë artistëve me seli në Kosovë, të cilët merren me ripushtimin, riparimin dhe reformimin e mjedisit të ndërtuar dhe natyror në Kosovën e pas-konfliktit.
Arti na pyet dhe na fton të dëshmojmë për traumën e të kaluarës në të tashmen, dhe pikërisht nga kjo pozitë e favorshme, Landscapes of Repair u përgjigjet këtyre pyetjeve: Si përfshihen peizazhet e pas-konfliktit në proceset e memorizimit, ripushtimit dhe riparimit lokal? Si duket riparimi në peizazhet post-traumatike të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor? Cilat janë mundësitë e ofruara nga praktika krijuese në angazhimin kritik të këtyre vendeve në të tashmen? Si mund të ndërtojmë peizazhe të kujdesit ose arkitekturë të paqes në shoqëritë e pas-konfliktit?
Ndërsa shpesh e mendojmë riparimin si një proces material që përfshin rindërtimin e ndërtesave dhe të objekteve, ai gjithashtu është një proces simbolik – një proces për të cilin Heinz Weiss thotë se “kurrë nuk është i përfunduar”. Duke i krahasuar hapësirat dhe vendet e shënuara nga pasojat e konfliktit në rajon, Landscapes of Repair e eksploron materialin në vazhdim, si dhe riparimin simbolik të peizazhit të Kosovës, si të përmbledhur nga ndërhyrjet lokale artistike.
Shumë nga veprat e zgjedhura i përshkruajnë ndërtesat që janë në gjendje të keqe fizike dhe që mbajnë shenja të dukshme të konfliktit të së kaluarës, prej Betejës së Kosovës në shekullin e 14-të deri në luftën më të fundit të Kosovës. Këto vende, përfshirë shtëpitë e boshatisura dhe vendet e njohura të trashëgimisë kulturore, kanë histori të pasura, me shumë shtresa, që flasin për pluralitetin e peizazhit dhe të banorëve të tij. Të tjerat janë më abstrakte, duke i zbuluar plagët e padukshme të shkaktuara nga konflikti. Këtu, riparimi përfshin performimin, si dhe prishjen e kufijve materialë dhe imagjinarë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe ndërmjet vetes dhe tjetrit. Bashkërisht, këto vepra na sjellin më afër kuptimit se si arti përfshihet në riparimin e trashëgimive të lokalizuara të së kaluarës të gdhendura në të tashmen.