Në mars të vitit 2020, Galeria Graves në Shefilld mbajti një ekspozitë të kuruar nga Dr. Amanda Crawley Jackson, me titull “Plagët e Padukshme: Peizazhi dhe kujtesa në fotografi”. Kjo ekspozitë ishte kulmi i një bashkëpunimi të gjatë midis Universitetit të Shefilldit dhe muzeve të Shefilldit dhe shfaqi vepra arti nga 7 artistë të mirënjohur ndërkombëtarë, fotografitë e të cilëve në mënyra të ndryshme përmbledhin plagët e dukshme dhe të padukshme të shkaktuara në peizazh. Ekspozita u shoqërua nga një libër dhe një simpozium on-line për prodhimin dhe përkujtimin e traumës në peizazh, me ç’rast në të dyja u paraqitën kontribute nga studiues, praktikues artistikë dhe ekspertë të ndërtimit për të eksploruar se si ne mund të interpretojmë dhe t’u përgjigjemi vendeve me histori të vështira ose të dhunshme përmes lentave të artit dhe praktikës krijuese.
Ndonëse “Plagët e Padukshme” u detyrua të mbyllej para kohe për shkak të Covid-19, disa pista të rëndësishme interesi dolën nga ekspozita (dhe simpoziumi) para mbylljes, të cilat u bënë edhe më të rëndësishme nga efektet e pandemisë – si dhe protestat Black Lives Matter – për mënyrat se si ne banojmë dhe si konceptojmë hapësirën publike. Këto pista kishin të bënin me identifikimin dhe dëshmimin e hapësirave të pashënuara të traumës që shpesh na rrethojnë, të cilat megjithatë janë harruar, anashkaluar ose shtypur në mënyrë aktive; mënyrat e shumta në të cilat memoria është e shkruar brenda peizazhit dhe bashkësive të veta lokale; si ndikon trauma hapësinore në mënyrë disproporcionale ndaj pakicave; dhe, së fundmi, si mund të shërbejë ndërhyrja artistike për të riparuar dhe rimarrë këto mjedise në mënyra krijuese dhe të reja.
Funksioni restaurues i artit është në zemër të “Landscapes of Repair”, një projekt i ri bashkëpunues transnacional midis Universitetit të Shefilldit dhe forumZFD Kosovë mbi peizazhet post-traumatike në Kosovë. Ky partneritet doli drejtpërdrejt nga takimi i forumZFD me librin “Plagët e Padukshme” dhe bazohet në pistat e ndryshme të krijimit të vendeve të identifikuara më lart brenda një konteksti gjeografik më të lokalizuar. “Landscapes of Repair” bashkon hulumtimin e Universitetit të Shefilldit mbi peizazhet post-traumatike me ekspertizën e forumZFD në ballafaqimin me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor për të nxjerrë në pah rolin e artistëve, organizatave dhe aktorëve civilë kosovarë në të menduarit, si dhe inicimin e riparimit të drejtuar nga komuniteti. Kuadri riparues i projektit manifestohet në disa mënyra të ndryshme, nga gjurmimi i revitalizimit kulturor të industrive specifike, të tilla si kultura vizive dhe kinemaja, deri te rindërtimi arkitektonik i trashëgimisë dhe ndërtesave të tjera.