Download Document

Të dashur lexues,

Dhuna, konflikti dhe lufta mbase përfundojnë dikur. Sidoqoftë, ngjarjet e së kaluarës ende i përndjekin ata që kanë përjetuar konflikt të dhunshëm. Për këtë arsye, në edicionin më të ri të Balkan.Perspectives ne merremi me efektet psikologjike të luftës dhe konfliktit. Duam të tërheqim vëmendjen e lexuesve drejt atyre që ende janë të ndikuar nga e kaluara. Si i përballojnë njerëzit e traumatizuar përjetimet e tyre? Çfarë lloj mbështetjeje marrin ata nga shoqëritë e tyre dhe në çfarë aspekti janë lënë pas dore?

Mirëpo çdo re e errët e ka dhe një anë të ndritshme. Ndaj në këtë edicion kërkojmë të eksplorojmë edhe si njerëzit kanë ruajtur një rutinë të përditshme gjatë luftës si mënyrë për ta mbrojtur shëndetin e tyre mendor dhe si kanë reaguar ata kur jeta e tyre po shkatërrohej. Disa nga ata e kanë kundërshtuar dhunën dhe janë përpjekur të luftojnë traumatizimin e tyre dhe të të tjerëve.

Të gjithë ne duhet t’i dëgjojmë zërat e atyre që përjetuan ngjarjet e dhunshme të së kaluarës dhe vazhdojnë t’i përjetojnë. Të gjithë ne duhet ta njohim situatën e tyre dhe duhet të jemi të përkushtuar për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme ku e parandalojmë dhunën dhe urrejtjen dhe ku bëhemi të vetëdijshëm për rëndësinë e shëndetit tonë mendor. Është thelbësore që të reflektojmë mbi mënyrat si të përkujdesemi për veten dhe mbi nevojën për t’u ndjerë të qëndrueshëm dhe të sigurtë.

Shkrimi i parë na sjell një hyrje të përgjithshme në konceptet e traumës dhe reziliencës dhe përshkruan cilat rrethana mund t’u ndihmojnë individëve të ballafaqohen me situatat traumatike.

Po ashtu, sjellim punën e Medica Kosova në Gjakovë, atë të Fondacionit për Demokraci Lokale në Sarajevë dhe të Qendrës për Trauma të Luftës në Novi Sad. Këto organizata kanë punuar me dhe për të traumatizuarit që nga konfliktet e viteve të ’90-ta dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot. Puna e tyre është jetike për shumë njerëz që, falë përpjekjeve të këtyre organizatave, tani janë në gjendje të jetojnë një jetë të shëndetshme e të qëndrueshme, pavarësisht tmerreve që kanë përjetuar në të kaluarën.

Veç kësaj, një shkrim mbi Qendrën Rehabilituese për Viktimat e Torturës në Kosovë jep më shumë informata mbi traumën dytësore dhe eksploron se si ata që duan t’u ndihmojnë të traumatizuarve, ballafaqohen me tregimet e rënda që i dëgjojnë përditë. Profesionistët që nuk kanë pasur përjetime traumatike të drejtpërdrejta gjithashtu mund të vuajnë nga trauma dytësore nëse nuk përkujdesen për shëndetin e tyre mendor.

Përveç atyre që ballafaqohen sot me traumën, ka edhe individë dhe organizata që janë përpjekur të krijojnë një mjedis që do t’u mundësonte njerëzve ta ruajnë shëndetin e tyre mendor dhe dinjitetin edhe gjatë luftës. Një shembull i mrekullueshëm janë disa media në Sarajevë, të cilat në kohën e rrethimit të qytetit, nuk e kanë luajtur rolin e agjentit të propagandës, por janë përpjekur ta luftojnë raportimin e njëanshëm. Madje edhe në kohë të frikës dhe rrezikut, ato kanë zgjedhur një rezistencë paqësore.

Iniciativa e Historisë Gojore në Kosovë mbledh tregimet e një numri të madh të individëve që janë të gatshëm të ndajnë tregimet për jetën e tyre. Iniciativa ofron një platformë për ato tregime “të cilat shpesh injorohen, fshihen, apo cilësohen si të parëndësishme” dhe siguron hapësirë për tregimet që shpeshherë nuk janë të përfshira në librat zyrtarë të historisë.

Si zakonisht, ne mirëpresim çdo lloj reagimi nga lexuesit tanë. Për pyetje, vlerësime apo abonime ju lutem na dërgoni e-mail në: balkan.perspectives@forumzfd.de.

Shpresoj se do të përfitoni nga leximi i edicionit tonë më të ri. Ju uroj një vjeshtë të mrekullueshme.

Sinqerisht,
Maike Dafeld, Kryeredaktore