Të nderuar Lexues të Balkan.Perspectives,
Në Ballkanin Perëndimor, pas konflikteve të dhunshme të viteve 1990-të dhe fillimit të viteve 2000-të, trauma dhe dhuna janë skalitur në një shumëllojshmëri të hapësirave shoqërore. Numra të ndryshëm të revistës Balkan.Perspectives kanë shtjelluar ndërlikimet politike, shoqërore dhe kulturore dhe nevojën për të reflektuar vazhdimisht dhe në mënyrë kritike mbi atë se si konlfiktet e së kaluarës kanë ndikuar shoqëritë dhe vendet e ish-Jugosllavisë.
Ky numër i revistës Balkan.Perspectives synon t’i shtojë një tjetër nocion këtyre shtjellimeve. Numri 17 i Balkan.Perspectives me titullin “Dhuna që po ndodh – trauma dhe lufta në arkitekturë dhe në hapësirat publike” është reflektim kritik se si trauma, lufta dhe dhuna kanë formësuar mjedisin që na rrethon, ndërtesat dhe vendet ku jetojmë, duke e bërë kështu traumën pjesë të përditshmërisë sonë, duke i kontribuuar lartësimit të dhunës dhe ligjërimeve etno-nacionaliste. Shkatërrimi i ndërtesave dhe monumenteve specifike, vendeve të trashëgimisë kulturore apo infrastrukturës publike ka qenë strategji e konflikteve të dhunshme në rajon. Hulumtuesit kanë krijuar terma si “urbicid”, “peisazhe lufte”, “memoricid” apo “arkitekturë e luftës” për ta përshkruar këtë dukuri. Termat theksojnë se qytetet ishin jo vetëm vendet fizike ku u luftua, “por arkitektura dhe hapësira urbane u shndërruan edhe në armatim ushtarak” .
Sidoqoftë, do të kishte qenë naive të supozonim se me përfundimin e konflikteve të hapura arkitektura e luftës do të zhdukej. Kontributet e këtij numri të Balkan.Perspectives sjellin një koleksion të analizave se si këto trauma ende po e formësojnë memorializimin në hapësirat publike dhe siluetat e qyteteve të tëra në Ballkanin Perëndimor. Kështu, ne synojmë ta tërheqim vëmendjen drejt rëndësisë së përfshirjes në diskutime aktive rreth ballafaqimit me të kaluarën dhe përkujtimeve në hapësirën publike. Ne theksojmë kontekstet afatgjata historike të konflikteve dhe traumës në rajon dhe se si këto trauma kanë ndërtuar idetë e bashkëjetesës, praktikave të memorializimit në hapësirat publike dhe politikat hapësinore.
Ekipi redaktues i Balkan.Perspectives beson fuqishëm se diskutimet rreth konflikteve kanë nevojë për më shumë se një këndvështrim, sepse historia gjithnjë duhet të ketë së paku dy fytyra dhe të përfshijë qasje shumëperspektivëshe. Nëse ka vetëm një anë, atëherë diçka nuk shkon: qoftë me historinë, apo me të vërtetën. Në këtë numër të Balkan.Perspectives ne duam t’i shtojmë edhe një dëshmitar diskutimit për ballafaqimin me të kaluarën: një reflektim kritik se si trauma dhe dhuna janë skalitur në krijimin e hapësirave (publike), në arkitekturë dhe në ndërtimin e hapësirave në shoqëritë e paskonfliktit në Ballkanin Perëndimor dhe se si ky kontekst e pengon qasjen e hapur, të mbështetur mbi dëshmi shumëperspektivëshe të së kaluarës në rajon.
Kontributet për Nr. 17 të Balkan.Perspectives përfshijnë tekstet nga Arbër Sadiki për faktorët socio-politikë që formësuan siluetën e qyteteve të Kosovës pas luftës së viteve 1998/1999. Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi në Prizren na shoqëron nëpër një rrugëtim të historisë së kinematografisë në Kosovë dhe flet për rëndësinë e lidhjes së këtyre lëvizjeve të bazës për të rimarrë hapësirën dhe ngre rëndësinë e lidhjes së këtyre lëvizjeve me ballafaqimin me të kaluarën. Kontributi nga Filip Koneski në dy pjesë reflekton për historinë urbane, të tashmen dhe të ardhmen e Shkupit. Ena Kukiq shtjellon shtresat e ndryshme të kujtesës së Kompleksit Memorial të Vracas në Sarajevë, ndërsa Nermina Trbonja reflekton për ngritjen masive të monumenteve nacionaliste dhe revizioniste në Bosnje e Hercegovinë. Irina Subotiq shkruan për planin e zhvillimit urban dhe statukuonë në Beograd dhe se si kjo ndërlidhet me gjendjen aktuale politike në Serbi. Dr. Ollga Manojlloviq Pintar na përball me “Katër tezat e arkitekturës dhe traumës” në kontekstin serb dhe rajonal.
Ekipi redaktues i Balkan.Perspectives i ka vlerësuar shumë komentet pozitive dhe kosntruktive të episodit të parë të Balkan.Perspectives Podcast dhe kemi kënaqësinë të prezantojmë në këtë numër të revistës Balkan.Perspectives këndvështrime dhe opinione shtesë rreth ballafaqimit me të kaluarën, arkitekturës dhe hapësirës publike. Mund të vizitoni uebfaqen www.dwp-balkan.org për më shumë informacion dhe t’i dëgjoni podkastet aktuale. Dëshirojmë t’i falenderojmë të gjithë partnerët tanë, ekipin realizues prapa dhe para mikrofonëve dhe të ftuarit e podkasteve tona. Në Bosnje e Hercegovinë falenderojmë platformën mediatike Naratorium, Gjorgje Krajishnikun dhe Armina Pilavin, Damir Ugljen nga ekipi i projektit Un-war Space dhe Nexhat Novalliqin nga Qendra për Veprim të Jodhunshëm. Në Kosovë falenderojmë ekipin e Radios TILLT, Bekim Ramkun nga Festivali i Arkitekturës së Kosovës dhe Serbeze Haxhiajn. Në Maqedoninë e Veriut falenderojmë Radio MOF dhe Filip Koneski. Në Serbi, falenderojmë programin radiofonik Ženergija në Radio Aparat dhe autorët Zoe Gudoviq dhe Iva Çukiq, Senka Domanoviq dhe Olja Nikolliq Kia.
Në emër të ekipit redaktues të Balkan.Perspectives ju uroj lexim interesant dhe dëgjim të këndshëm.
Alexander Vojvoda
Kryeredaktor